A ju ka ndodhur që, ndërsa po i tregoni dikujt një përvojë personale, ai t’ju ndërpresë me fjalët: “Edhe mua më ka ndodhur e njëjta gjë”? Sipas psikologëve, kjo sjellje është më e zakonshme sesa mendojmë.
Në psikologji, ky fenomen njihet si vetëzbulim (self-disclosure) dhe përshkruan prirjen e njerëzve për të ndarë përvojat personale, shpesh me qëllimin për të krijuar afërsi dhe mirëkuptim.
Megjithatë, ajo që për njërin është përpjekje për të treguar empati, për tjetrin mund të duket si mungesë vëmendjeje.
Psikologia shpjegon se kur dikush përgjigjet menjëherë me historinë e vet, personi tjetër mund të ndihet sikur nuk është dëgjuar ose sikur përvoja e tij nuk ka rëndësi.
Kjo bëhet veçanërisht e ndjeshme kur dikush flet për një humbje, vështirësi emocionale apo një ngjarje të rëndësishme personale. Edhe nëse kemi kaluar diçka të ngjashme, përjetimet nuk janë domosdoshmërisht të njëjta.
Por a është gabim të flasim për përvojat tona? Jo gjithmonë. Ndarja e historive personale mund t’i afrojë njerëzit dhe të forcojë miqësitë, për sa kohë që biseda mbetet e ekuilibruar.
Ekspertët këshillojnë që fillimisht ta dëgjojmë bashkëbiseduesin, t’i bëjmë pyetje dhe t’i japim hapësirë të shprehë ndjenjat e tij, përpara se të tregojmë historinë tonë.


