Fluori është i njohur për rolin e tij në mbrojtjen e dhëmbëve nga kariesi, por shkencëtarët po shqyrtojnë edhe ndikimin që ekspozimi afatgjatë ndaj tij mund të ketë në aftësitë njohëse.
Një analizë e gjerë shkencore e Programit Kombëtar të Toksikologjisë në SHBA (NTP) ka gjetur se ekspozimi ndaj niveleve të larta të fluorit lidhet me rezultate më të ulëta të inteligjencës (IQ) te fëmijët.
Sipas studiuesve, kjo lidhje është vërejtur veçanërisht në popullatat ku përqendrimi i fluorit në ujin e pijshëm tejkalon 1.5 miligramë për litër.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate nuk dëshmojnë përfundimisht se fluori është shkaktari i drejtpërdrejtë i ndryshimeve në inteligjencë. Gjithashtu, ende nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse përqendrimi prej 0.7 mg/L, që përdoret për fluorizimin e ujit në SHBA, ndikon negativisht në zhvillimin njohës.
Sa u përket të rriturve, të dhënat shkencore deri tani nuk kanë treguar prova bindëse për dëmtim të aftësive njohëse nga ekspozimi ndaj fluorit.
Ekspertët theksojnë se rëndësi vendimtare ka sasia e fluorit që merret, pasi në nivele të përshtatshme ai ndihmon në parandalimin e kariesit, ndërsa ekspozimi i tepërt mund të paraqesë rreziqe shëndetësore.
Prandaj, monitorimi i përqendrimit të fluorit në ujin e pijshëm mbetet i rëndësishëm, veçanërisht për mbrojtjen e shëndetit dhe zhvillimit të fëmijëve.


