Kompania teknologjike Huawei ka prezantuar orën inteligjente Watch Kids X1, të krijuar posaçërisht për fëmijët dhe sigurinë e tyre. Pajisja u mundëson prindërve të përcjellin vendndodhjen e fëmijëve nëpërmjet GPS-it, të realizojnë telefonata dhe videothirrje, si dhe të marrin njoftime kur fëmija largohet nga zonat e përcaktuara si të sigurta.
Ora përmban dy kamera, një të përparme prej 5 megapikselësh dhe një të pasme prej 13 megapikselësh, ndërsa ekrani AMOLED prej 1.82 inçësh mund të rrotullohet deri në 360 gradë. Fëmijët mund të bëjnë fotografi, të komunikojnë me kontaktet e miratuara nga prindërit dhe të përdorin funksione argëtuese. Në raste emergjente, butoni SOS mundëson dërgimin e sinjalit për ndihmë.
Përmes aplikacionit Huawei FamCare, prindërit mund të kontrollojnë kontaktet, të kufizojnë përdorimin e pajisjes dhe të përcjellin aktivitetin fizik të fëmijëve. Ora gjithashtu monitoron rrahjet e zemrës, ka rezistencë ndaj ujit dhe mbështet rrjetin 4G. Me këto funksione, Huawei synon të ofrojë një alternativë ndaj telefonit inteligjent për fëmijët që kanë nevojë të komunikojnë me familjen.


