Holanda do të rikthehet në Eurovision në vitin 2027, duke i dhënë fund bojkotit të vendosur për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. Për organizimin e paraqitjes holandeze do të kujdeset transmetuesi publik NPO.
Vendi mungoi në Eurovision 2026, ndërsa transmetuesi AVROTROS kishte njoftuar se do ta vazhdonte bojkotin edhe vitin e ardhshëm. Megjithatë, vendimi përfundimtar iu la transmetuesve të tjerë në vend, duke i hapur rrugë NPO-së që ta rikthejë Holandën në garë.
NPO deklaroi se Unioni Evropian i Transmetimeve ka ndërmarrë masa të rëndësishme pas kritikave të vendeve që bojkotuan edicionin e kaluar. Ende nuk është bërë i ditur artisti që do ta përfaqësojë Holandën në Eurovision 2027, i cili do të mbahet në Bullgari.


