Komisioni Evropian ka akuzuar kompaninë Meta për shkelje të Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), duke pretenduar se Facebook dhe Instagram janë projektuar në mënyrë që t’i mbajnë përdoruesit sa më gjatë në platforma përmes funksioneve që krijojnë varësi.
Sipas gjetjeve paraprake të Komisionit, Meta nuk ka vlerësuar siç duhet rreziqet që dizajni i këtyre platformave paraqet për shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Komisioni Evropian kërkon që Meta të ndryshojë dizajnin e Facebook-ut dhe Instagram-it, duke çaktivizuar si opsion të paracaktuar disa prej funksioneve që konsiderohen se nxisin përdorimin e tepërt. Mes tyre përfshihen riprodhimi automatik i videove (autoplay), lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scrolling), rekomandimet e personalizuara dhe njoftimet “push”, të cilat krijojnë një rrjedhë të pandërprerë të përmbajtjes.
Meta ka të drejtë të paraqesë mbrojtjen e saj përpara se Komisioni të marrë një vendim përfundimtar. Nëse shpallet fajtore, kompania mund të përballet me një gjobë që arrin deri në 6 për qind të të ardhurave të saj globale vjetore.
Në reagimin e saj, Meta theksoi se që nga fillimi i hetimit ka ndërmarrë masa shtesë për mbrojtjen e adoleshentëve. Kompania kujtoi se ka prezantuar llogari të posaçme për të rinjtë, të cilat aktivizojnë automatikisht masa mbrojtëse dhe u japin prindërve mundësinë të kufizojnë përdorimin e Instagram-it gjatë natës, si edhe të vendosin kufij ditorë për kohën e kaluar para ekranit.
Zyrtarët evropianë theksojnë se mbrojtja e shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve duhet të jetë një prioritet për platformat e rrjeteve sociale dhe se kompanitë teknologjike duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për mënyrën se si i projektojnë shërbimet e tyre.


