Kompania Meta ka paralajmëruar se mund të përballet me gjoba që arrijnë deri në 1.4 trilionë dollarë nëse humb procesin gjyqësor të ngritur nga disa shtete amerikane, të cilat e akuzojnë se ka kontribuar në përkeqësimin e shëndetit mendor të adoleshentëve. Shuma e përmendur është pothuajse e barabartë me vlerën totale të kompanisë në treg.
Sipas Metës, kjo vlerësim bazohet në mënyrën se si prokurorët e Kalifornisë, Kolorados, Kentakit dhe Nju Xhersit kanë llogaritur gjobat e mundshme në rast se fitojnë çështjen. Procesi gjyqësor pritet të nisë më 18 gusht në Gjykatën Federale në Oakland të Kalifornisë.
Avokatët e kompanisë e kanë cilësuar kërkesën si të paprecedentë në historinë e zbatimit të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit, duke e quajtur atë “të pabazë” dhe “absurde”.
Padia është ngritur nga gjithsej 29 shtete amerikane, të cilat pretendojnë se Meta ka shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Privatësisë së Fëmijëve në Internet (COPPA), duke mbledhur të dhëna të përdoruesve të mitur pa pëlqimin e prindërve. Katër shtetet kryesore e akuzojnë gjithashtu kompaninë se ka mashtruar publikun lidhur me sigurinë e platformave të saj.
Sipas paditësve, Facebook dhe Instagram janë projektuar në mënyrë që të krijojnë varësi te fëmijët dhe adoleshentët, duke ndikuar në rritjen e ankthit, depresionit, vetëlëndimit dhe problemeve të tjera serioze të shëndetit mendor.
Meta i mohon kategorikisht këto akuza, duke argumentuar se metoda e llogaritjes së gjobave numëron të njëjtët përdorues disa herë, në varësi të kohës që ata kalojnë në platforma. Kompania thekson gjithashtu se disa funksione të Facebook-ut dhe Instagram-it mbrohen nga Neni 230 i Ligjit amerikan për Komunikimet, i cili u jep platformave online mbrojtje të gjerë ligjore për përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit.
Në fund të qershorit, gjykatësja federale Yvonne Gonzalez Rogers refuzoi kërkesën e Metës për rrëzimin e padisë, duke vlerësuar se ekzistojnë ende çështje faktike që duhet të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor.
Përveç kësaj çështjeje, Meta përballet edhe me mbi 2.400 padi të tjera të ngritura nga prindër, shkolla dhe institucione shtetërore. Megjithatë, analistët vlerësojnë se është shumë pak e mundshme që kompania të detyrohet të paguajë një gjobë që arrin shifrën prej 1.4 trilionë dollarësh.


