Për herë të parë në histori, shkencëtarët kanë regjistruar një sinjal që tregon se rrufetë ekzistojnë edhe në Mars. Anija kozmike e NASA-s, MAVEN, e cila orbiton rreth Planetit të Kuq, kishte regjistruar që në vitin 2015 një sinjal elektromagnetik të pazakontë. Por vetëm tani analizat e reja konfirmojnë se bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “whistler” një sinjal radio që krijohet nga shkarkimet elektrike në atmosferë.
Zbulimi, i publikuar në revistën Science Advances, sugjeron se rrufetë në Mars ndjekin të njëjtat ligje fizike si ato në Tokë, edhe pse kushtet atmosferike janë shumë të ndryshme.
Në Tokë, rrufeja krijohet kur grimcat në re përplasen dhe gjenerojnë ngarkesa elektrike që shkarkohen me një shpërthim energjie. Marsi ka shumë pak ujë në atmosferë, por kjo nuk e përjashton mundësinë e rrufeve. Shkencëtarët besojnë se stuhitë e fuqishme të pluhurit, të cilat lëvizin sasi të mëdha grimcash rëre, mund të krijojnë kushte të ngjashme për shkarkime elektrike.
Kur ndodh një rrufe, ajo lëshon valë elektromagnetike me frekuenca të ndryshme. Valët me frekuencë të ulët përhapen nëpër jonosferë përgjatë vijave magnetike të planetit. Kur këto sinjale përkthehen në tingull, ato krijojnë një ton që bie gradualisht prandaj quhen “whistlers”.
Edhe pse Marsi nuk ka fushë magnetike globale si Toka, ai ka zona lokale të magnetizuara në koren e tij, të cilat lejojnë përhapjen e këtyre valëve.
Sinjali zgjati vetëm 0,4 sekonda, por ishte dhjetë herë më i fuqishëm se zhurma e sfondit dhe përputhej me parashikimet teorike të bëra dekada më parë. Modelimet tregojnë se energjia e tij ishte e krahasueshme me një rrufe të fuqishme tokësore.
Një aspekt intriguese i këtij zbulimi është se shkarkimet elektrike mund të luajnë rol në krijimin e molekulave organike. Eksperimentet laboratorike kanë treguar se rrufetë mund të nxisin procese kimike që ndihmojnë formimin e përbërjeve bazë të jetës.
Nëse rrufetë kanë qenë të pranishme në Mars për periudha të gjata, ato mund të kenë kontribuar në zhvillimin e proceseve prebiotike ashtu siç besohet të ketë ndodhur në Tokën e hershme.


