Chatbot-et e inteligjencës artificiale po marrin gjithnjë e më shumë rolin e motorëve të kërkimit – por tani po ndërmarrin hapin tjetër: ato po bëhen dyqane virtuale. Google ka njoftuar një partneritet të madh me Walmart, Shopify, Wayfair dhe shitës të tjerë, duke e shndërruar Gemini-n në një asistent personal blerjesh që jo vetëm jep rekomandime, por lejon edhe blerjen e menjëhershme brenda vetë chatbot-it.
Me këtë funksion të ri, përdoruesit do të mund të pyesin Gemini-n për produkte – nga paisjet e skive deri te pajisjet e shtëpisë – dhe të blejnë direkt nga shitësit me pakicë pa u larguar nga biseda. Fillimisht, pagesat bëhen me kartën e lidhur me llogarinë Google, ndërsa PayPal vjen më vonë. Opsioni është aktualisht i kufizuar në SHBA, por pritet të zgjerohet së shpejti në tregje të tjera.
Ky është hapi më i madh drejt tregtisë së drejtuar nga agjentët e IA-së, një model që Walmart, Amazon, Google dhe OpenAI po garojnë ta zhvillojnë. Në të ardhmen e afërt, blerjet online mund të mos bëhen më në faqe interneti apo aplikacione – por përmes një bisede të thjeshtë me inteligjencën artificiale.


