Autoritetet turke kanë ndaluar aktorin e njohur Can Yaman gjatë një operacioni të gjerë policor në Stamboll, i cili ka në fokus trafikimin dhe përdorimin e mundshëm të substancave narkotike nga persona publikë. Sipas CNN Türk, operacioni u zhvillua nga Byroja e Hetimit të Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike, me bastisje në nëntë klube nate dhe kontrolle në disa ambiente të tjera.
Gjatë aksionit, u arrestuan disa persona, përfshirë figura të njohura të showbiz-it. Mediat turke raportojnë se, megjithëse nuk ishte lëshuar një urdhër-arresti paraprak ndaj Yaman, aktori dyshohet se u gjet në posedim të substancave të ndaluara gjatë kontrolleve policore. Ai dhe personat e tjerë të ndaluar iu nënshtruan më pas testimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në fazat e mëparshme të të njëjtit hetim, policia kishte thirrur dhe proceduar mbi 20 persona publikë, mes tyre aktorë, gazetarë, persona publikë si Selen Gorguzel dhe pronarë lokalesh. Ndërkaq, bastisjet e fundit çuan në sekuestrime shtesë dhe në masa ndaj individëve që dyshohet të kenë lidhje me shpërndarjen e drogës.
Hetimi po vazhdon nën akuzat e mundshme për “posedim të substancave narkotike për përdorim personal” dhe “lehtësim të përdorimit të drogës”. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë përfundimtare lidhur me rolin e aktorit në këtë rast.


