Riniti alergjik është një gjendje inflamatore e mukozës së hundës që shfaqet si pasojë e kontaktit me alergjenë si poleni, pluhuri i shtëpisë apo qimet e kafshëve. Te fëmijët, simptomat shpesh fillojnë herët – nga hunda që rrjedh vazhdimisht, teshtima të shpeshta dhe kruarje, deri te frymëmarrja me gojë dhe gjumi i shqetësuar. Ky problem mund të ndikojë në cilësinë e jetës, duke shkaktuar lodhje, vështirësi në përqendrim dhe madje edhe komplikime si infeksione të veshit dhe ulje të dëgjimit.
Riniti alergjik mund të jetë sezonal, zakonisht i lidhur me polenin gjatë pranverës dhe verës, ose i vazhdueshëm, si në rastin e alergjisë ndaj grinjave. Në mungesë të trajtimit, kjo gjendje mund të çojë në komplikime serioze si polipe, sinusit alergjik apo edhe astmë. Mjekët këshillojnë përdorimin e terapive të përshtatura sipas moshës, higjienë të kujdesshme në shtëpi dhe në disa raste, imunoterapi ose vaksina që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.