Donatella Versace është shkarkuar nga pozicioni i drejtoreshës kreative të shtëpisë së njohur të modës Versace dhe tani do të mbajë titullin e “Ambasadores Kryesore të Markës”.
Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar nga Capri Holdings, kompania amerikane që zotëron Versace, posti i saj do të merret nga Dario Vitale, ish-drejtor dizajni i shtëpisë italiane të modës Miu Miu. Ai do të nisë zyrtarisht detyrën e re më 1 prill.
Capri Holdings bleu Versace-n në vitin 2018 dhe është gjithashtu pronar i markave të njohura si Michael Kors dhe Jimmy Choo.
Donatella Versace mori drejtimin kreativ të markës pas vrasjes së vëllait të saj, Gianni Versace, në vitin 1997, në Miami, Florida. Ajo ka deklaruar se ka qenë nderi më i madh për të që të vazhdonte trashëgiminë e tij.
“Në rolin tim të ri si Ambasadore Kryesore e Markës, do të mbetem mbështetësja më e madhe e Versace-s. Kjo markë është pjesë e ADN-së sime dhe gjithmonë do të jetë në zemrën time,” u shpreh ajo.