Një studim i ri ka zbuluar një mekanizëm të jashtëzakonshëm natyror përmes të cilit zemra përpiqet të rivendosë qarkullimin e gjakut pas një infarkti. Shkencëtarët kanë vërejtur se kapilarët e vegjël mund të transformohen dhe të krijojnë rrugë alternative për furnizimin e muskulit të zemrës me gjak – një proces që funksionon si një lloj “bypass-i” natyror.
Në eksperimentet e kryera te minjtë, studiuesit zbuluan se qelizat endoteliale të kapilarëve luajnë rol kryesor në këtë proces. Ato mund të bashkohen dhe të formojnë enë gjaku që ngjajnë më shumë me arteriet, duke ndihmuar në rikthimin e qarkullimit rreth zonës së dëmtuar nga infarkti.
Studiuesit testuan gjithashtu proteinën VEGF-A, e njohur për nxitjen e rritjes së enëve të gjakut. Kur u përdor në doza të kontrolluara, ajo përmirësoi qarkullimin e gjakut, zvogëloi formimin e mbresave në zemër dhe përmirësoi funksionimin e saj te kafshët e testuara.
Megjithatë, rezultatet janë ende në fazë eksperimentale dhe studimi është kryer te minjtë, jo te njerëzit. Nëse mekanizmi konfirmohet edhe te pacientët, në të ardhmen mund të hapë rrugën për terapi të reja që nxisin aftësinë natyrore të zemrës për t’u rikuperuar pas infarktit.


