Paltforma transmetuese, YouTube, do t’u japë prindërve më shumë kontroll mbi mënyrën se si adoleshentët përdorin platformën, duke ua mundësuar ta kufizojnë ose ta ndalojnë plotësisht “srcollingun” apo shfletimin e videove të shkurtra, të njohura si “shorts”, ka raportuar CNN.
Ky opsion është pjesë e një pakete të re kontrollesh prindërore që i ka prezantuar YouTube.
Ashtu si shumë platforma të tjera teknologjike, YouTube ka shtuar përpjekjet për mbrojtjen e përdoruesve të rinj, për shkak të presionit në rritje nga prindërit, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe ligjvënësit.
Shumë prindër kanë paralajmëruar se shfletimi i pafund i videove të shkurtra mund të krijojë varësi, veçanërisht te të rinjtë.
Sipas ndryshimeve të reja, prindërit që mbikëqyrin llogaritë e fëmijëve të tyre do të mund të vendosin një limit kohor për “shortsat”, nga dy orë deri në zero minuta. Për shembull, ata mund ta bllokojnë plotësisht këtë funksion kur adoleshentët duhet të përqendrohen në mësime, ose ta lejojnë për 60 minuta gjatë një udhëtimi të gjatë, për argëtim.
Gjithashtu, prindërit do të kenë mundësi të caktojnë orare për gjumë dhe përkujtues “për pushim”, funksione që YouTube tashmë i aplikon automatikisht për përdoruesit nën moshën 18 vjeç.
YouTube po prezanton edhe një proces të ri regjistrimi për ta bërë më të lehtë krijimin e llogarive të mbikëqyrura për fëmijët, si dhe po thjeshton kalimin mes llogarive për të mitur dhe të rritur në pajisjet e përbashkëta.


