Sot është pothuajse e pamundur të imagjinohet “The Matrix” pa Keanu Reeves në rolin e Neos. Megjithatë, përpara se Reeves të merrte rolin që ndryshoi karrierën e tij, producentët kishin në listë disa nga emrat më të mëdhenj të Hollivudit.
Nicolas Cage e refuzoi për shkak të xhirimeve në Australi, pasi nuk dëshironte të qëndronte gjatë larg djalit të tij. Edhe Sandra Bullock u konsiderua seriozisht, madje producentët menduan që personazhi i Neos të shndërrohej në një rol femëror, por aktorja nuk u bind nga projekti.
Leonardo DiCaprio fillimisht e pranoi rolin, por më pas u tërhoq, pasi pas “Titanic” nuk dëshironte të angazhohej menjëherë në një tjetër film të madh me efekte speciale. Brad Pitt gjithashtu e pranoi fillimisht, por hoqi dorë për shkak të lodhjes nga projektet e mëparshme.
Ndërsa Will Smith e refuzoi “The Matrix” dhe zgjodhi “Wild Wild West”, vendim për të cilin foli më vonë publikisht. Në fund, roli shkoi te Keanu Reeves dhe “The Matrix”, i publikuar në vitin 1999, u shndërrua në një nga filmat fantastiko-shkencorë më me ndikim të brezit të tij.


