WhatsApp po përgatit disa risi të reja për bisedat në grup, me qëllim që komunikimi të bëhet më i qartë dhe më praktik për të gjithë përdoruesit. Një nga opsionet e reja do t’u lejojë anëtarëve që sapo bashkohen në një grup të shohin një numër të caktuar mesazhesh të dërguara para hyrjes së tyre (nga 25 deri në 100 mesazhe). Kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë më lehtë kontekstin e diskutimeve dhe të përfshihen menjëherë në bisedë pa humbur informacion të rëndësishëm.
Përveç kësaj, platforma po teston edhe funksionin e ashtuquajtur “mesazhe spoiler”, i frymëzuar nga Reddit. Ky opsion lejon që një pjesë e tekstit të fshihet derisa përdoruesi ta prekë mesazhin për ta zbuluar. Kjo është veçanërisht e dobishme kur diskutohet për filma, seriale apo ndeshje sportive, në mënyrë që të mos zbulohen detaje për ata që nuk i kanë parë ende. Funksioni aktualisht është i disponueshëm në versionet testuese për Android dhe iPhone, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet i qasshëm për të gjithë përdoruesit.


