Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Maryland të Shteteve të Bashkuara, ku një burrë dyshohet se vodhi një mace vetëm tre muajshe dhe më pas e mori me vete gjatë një tentative për grabitjen e një banke.
Sipas policisë së qarkut Prince George’s, i dyshuari e mori macen Magnolia nga një hapësirë birësimi në një dyqan në Beltsville dhe e çoi në një degë të bankës PNC. Atje, ai i kërkoi drejtorit të bankës që ta mbante macen ndërsa shkruante një shënim.
Më pas, ai ia dorëzoi shënimin një punonjësi në sportel, duke kërkuar të gjitha paratë. Tentativa dështoi dhe i dyshuari u arrestua pa u lënduar askush.
Magnolia u gjet e sigurt dhe e padëmtuar në zyrën e drejtorit të bankës. Organizata që kujdeset për të tha se macja ende është në pritje të një familjeje që ta adoptojë.
Punonjësit e dyqanit treguan se burri kishte ardhur pothuajse çdo ditë për rreth dy javë dhe kishte shfaqur interes të veçantë për Magnolian, para se ta merrte dhe të largohej me të.


