Vjeshta astronomike ka nisur sot, më 23 shtator, në hemisferën veriore. Ajo filloi në orën 02:05, në momentin e ekuinoksit vjeshtor, kur Dielli kalon ekuatorin qiellor nga hemisfera veriore drejt asaj jugore. Këtë vit, vjeshta do të zgjasë 89 ditë, 20 orë dhe 45 minuta, deri më 21 dhjetor, kur solstici i dimrit shënon fillimin e stinës së dimrit.
Edhe pse ekuinoksi shpesh përshkruhet si dita kur dita dhe nata janë të barabarta, në realitet dita zgjat disa minuta më shumë për shkak të thyerjes së dritës në atmosferë. Nga tani, në hemisferën veriore ditët do të vazhdojnë të shkurtohen dhe netët të zgjaten, deri më 21 dhjetor, kur do të kemi ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit.


