Amerikani Gene Hackman, 95 vjeç, ndërroi jetë nga një atak në zemër me ndërlikime nga sëmundja e Alzheimer-it, një javë pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Betsy Arakawa, 65 vjeç. Ekspertët mjekoligjorë konfirmuan se ajo humbi jetën nga një sëmundje e rrallë e transmetuar nga brejtësit.
Trupat e tyre u gjetën më 26 shkurt në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico, pasi punonjësit e mirëmbajtjes alarmuan policinë. Hetimet zbuluan se Arakawa kishte ndërruar jetë më 11 shkurt nga sindroma pulmonare e hantavirusit, një infeksion i rrallë, por i rrezikshëm. Hackman, i cili vuante nga Alzheimer-i në një fazë të avancuar, duket se nuk ishte në dijeni të vdekjes së saj dhe nuk kishte kërkuar ndihmë.
Sherifi i qarkut Santa Fe, Adan Mendoza, tha se Arakawa u pa për herë të fundit duke bërë pazar më 11 shkurt, ndërsa pajisja e monitorimit të zemrës së Hackman tregoi shenja aktiviteti deri më 18 shkurt, duke sugjeruar se ai ndërroi jetë atë ditë.
Autoritetet konfirmuan se vdekja e të dyve ishte për shkaqe natyrore.