Problemet e shumta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKSUK) duket se nuk kanë fund, ndërsa institucionet përgjegjëse, vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura ndaj këtyre zhvillimeve. Ndërkohë që menaxhmenti mban një qasje indiferente, situata brenda stafit të QKSUK është përshkallëzuar në atë pikë sa tani përfliten edhe inskenime të pabesueshme që përngjajnë më shumë me skena nga filmat e Hollywood-it se sa me realitetin e një institucioni shëndetësor.
Sipas burimeve të brendshme, ka indikacione se disa anëtarë të stafit kanë filluar të inskenojnë incidente të rreme, duke përfshirë “sulme ndaj vetes”, të cilat pretendohet se kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të kolegëve të tyre. Këto skenare të sajuara përkujtojnë filma të zhanrit thriller, me skena të planifikuara që duket sikur janë të shkruara për një skenar filmi, sesa për një mjedis spitalor. A është ky rezultat i ndikimit të tepruar të filmave të Hollywood-it, apo mos ndoshta jemi dëshmitarë të një strategjie të re për manipulim dhe diskreditim të ndërsjellë?
Pyetja kryesore që ngrihet është: a janë të përfshirë në këto inskenime menaxherët dhe drejtuesit e QKSUK? Një tjetër skenar shqetësues do të ishte që menaxhmenti të jetë i vetëdijshëm për këto zhvillime, por të zgjedhë të mbyllë sytë, duke lejuar që konflikti të përkeqësohet. Nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një dështim serioz të udhëheqjes, që jo vetëm minon etikën e profesionit mjekësor, por dëmton edhe besueshmërinë e të gjithë sistemit shëndetësor publik në vend.
Një situatë e tillë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga SHSKUK dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Hetimet e pavarura dhe verifikimi i akuzave duhet të jenë prioritet për të kthyer rendin dhe për të garantuar që sjelljet e papranueshme të mos bëhen normë. Nëse inskenimet janë të vërteta, kjo është një shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe një goditje për të gjithë komunitetin shëndetësor në Kosovë.