Një studim i ri nga Universiteti i Southamptonit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Mass General Brigham në SHBA tregon se ngrënia vetëm gjatë ditës mund të zvogëlojë rreziqet kardiovaskulare për ata që punojnë në ndërrime nate.
Hulumtimi, i botuar në revistën Nature Communications, përfshiu 20 të rinj të shëndetshëm që iu nënshtruan një simulimi intensiv të punës natën. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri hante vetëm gjatë ditës, tjetri edhe gjatë natës – siç ndodh zakonisht në praktikat e punës me ndërrime.
Rezultatet treguan se ata që konsumonin ushqim vetëm gjatë ditës nuk përjetuan rritje të faktorëve të rrezikut për zemrën, siç janë shtypja e lartë e gjakut dhe markerët e mpiksjes së gjakut.
Sipas profesoreshës Sara Chellappa, bashkautore e studimit, “koha kur hamë mund të jetë çelësi për të reduktuar ndikimet negative të ndërrimeve të natës në shëndetin e zemrës”.