Italia po përpiqet ta shndërrojë një problem serioz ekologjik në një mundësi ekonomike. Gaforrja e kaltër e Atlantikut, një specie pushtuese që ka shkaktuar dëme të mëdha në lagunat italiane, tani po eksportohet dhe po shitet si produkt ushqimor në tregjet ndërkombëtare.
Për vite me radhë, peshkatarët në deltën e lumit Po i kapnin dhe i asgjësonin këto gaforre, pasi ato po shkatërronin popullatat e molusqeve, një prej burimeve kryesore të të ardhurave në zonë. Vetëm në vitet 2024 dhe 2025, të ardhurat e një prej konsorciumeve lokale ranë me rreth 75 për qind.
Por strategjia ka ndryshuar. Në vend që gaforret të digjen, tani ato shiten dhe eksportohen. Këtë vit, konsorciumi në Polesine thotë se ka arritur të shesë çdo gaforre të kapur dhe parashikon rreth 20 milionë euro të ardhura, kryesisht nga ky produkt.
Një pjesë e gaforreve dërgohet në Sri Lanka, ku përpunohet dhe mishi paketohet për t’u eksportuar më pas në tregje të tjera. Paradoksi është se, ndërsa jashtë vendit konsiderohet një produkt me potencial, shumë italianë vazhdojnë ta shmangin për shkak të reputacionit të saj si specie që ka dëmtuar rëndë ekosistemin dhe industrinë vendase të peshkimit.
Megjithatë, disa restorante italiane tashmë po eksperimentojnë me të, duke ofruar qofte me mish gaforreje, gaforre me polenta dhe variante me guaskë të butë. Mesazhi i peshkatarëve është bërë i thjeshtë: nëse nuk mund ta mposhtim, mund ta hamë.


