Luhatjet e papritura të temperaturave – nga ngrohja e menjëhershme te ftohja e shpejtë – po ndikojnë gjithnjë e më shumë në organizmin tonë. Shërbimet emergjente raportojnë se pikërisht në ditët me ndryshime të forta të motit rritet numri i thirrjeve për ndihmë, megjithëse shumica e shqetësimeve janë të lehta dhe kalimtare.
Ndryshimi i motit dhe tensioni i gjakut
Tek personat që vuajnë nga tensioni i lartë, terapia vepron njësoj gjatë gjithë vitit, por mënyra e jetesës ndryshon sipas stinëve. Gjatë dimrit konsumohen më shumë ushqime të kripura dhe të yndyrshme, çka mund të ndikojë në mbajtjen e lëngjeve në organizëm dhe rritjen e presionit të gjakut.
Ekspertët këshillojnë moderim në konsumimin e kripës dhe kontroll të rregullt të tensionit, veçanërisht kur shfaqen dhimbje koke, marramendje apo ndjesi dobësie.
Sa kohë i duhet trupit të përshtatet?
Përshtatja ndaj ndryshimeve të motit është individuale. Disa persona ambientohen brenda pak orësh, ndërsa të tjerë kanë nevojë për 24–48 orë. Personat e ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike mund të ndjejnë lodhje, plogështi apo ndryshime humori, por zakonisht mësohen me kalimin e kohës.
Një këshillë praktike është veshja me shtresa, e cila ndihmon trupin të ruajë temperaturën e qëndrueshme pavarësisht luhatjeve të jashtme.
Lëvizja – “ilaçi” më i thjeshtë
Në fund të dimrit janë më të shpeshta simptoma si lodhja, pagjumësia, nervozizmi dhe dhimbja e kokës. Shkaku kryesor është mungesa e aktivitetit fizik dhe qëndrimi i zgjatur në ambiente të mbyllura.
Një shëtitje e lehtë në natyrë, të paktën 30 minuta në ditë, përmirëson qarkullimin e gjakut, ul stresin dhe ndikon pozitivisht në gjendjen mendore. Edhe gjatë ditëve të ftohta, disa orë në ajër të pastër mund të bëjnë diferencë të madhe për shëndetin.
Kur duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore?
Nëse dhimbja e kokës zgjat disa ditë rresht, rekomandohet kontrolli i tensionit të gjakut. Në rast se simptomat përsëriten shpesh, është e nevojshme konsultë mjekësore dhe analiza laboratorike për të përjashtuar probleme si anemia apo çrregullime të tjera.
Kontrollet rutinë, sidomos për personat mbi moshën e mesme, këshillohen të paktën dy herë në vit – edhe në mungesë të simptomave.

