Studiuesit nga Universiteti Ushtarak Mjekësor në Xian, Kinë, njoftuan se kanë realizuar me sukses transplantimin e parë në botë të një mëlçie të derrit, të modifikuar gjenetikisht, te një pacient në gjendje të vdekje klinike (pa funksione cerebrale).
Mëlçia e derrit miniatyrë ishte modifikuar për të reduktuar rrezikun e refuzimit nga trupi i njeriut. Organet funksionuan normalisht për 10 ditë, duke prodhuar bilë dhe duke ruajtur qarkullimin e gjakut.
Sipas profesorit Lin Wang, mëlçia tregoi performancë të shkëlqyer dhe ky është një hap i madh drejt përdorimit të saj si një “organ urë” për pacientët me insuficiencë akute hepatike, derisa të gjendet një mëlçi njerëzore për transplantim.
Transplantimi u ndërpre pas 10 ditësh me kërkesë të familjes së pacientit. Ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për përdorim afatgjatë dhe në pacientë të gjallë.
Sipas Rafael Matesanz nga Organizata Kombëtare e Transplantit në Spanjë, ky është transplantimi i parë në botë i një mëlçie derri te një njeri, i cili shënon një moment historik në mjekësi.