Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër pas lajmit se aktori George Clooney, bashkëshortja e tij Amal dhe fëmijët e tyre kanë marrë shtetësinë franceze. Vendimi u kritikua edhe brenda Francës, ku disa zyrtarë e quajtën shembull të “standardeve të dyfishta”, duke qenë se rregullat e reja të imigracionit po ashpërsohen për aplikantët e zakonshëm.
Trump, i njohur për qëndrimet e tij kundër imigracionit dhe kritikat ndaj demokratëve, e shfrytëzoi rastin për të ironizuar aktorin. Në rrjetin e tij Truth Social ai shkroi se Clooney dhe bashkëshortja e tij janë “ndër parashikuesit politikë më të këqij të të gjitha kohërave”, duke shtuar se Franca po përballet me “probleme të mëdha kriminaliteti” për shkak të menaxhimit të dobët të imigracionit.
Në Francë, lajmi për shtetësinë e Clooney-t erdhi vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi të rregullave të reja që kërkojnë njohuri të avancuara të gjuhës franceze dhe test shtesë. Ndërsa Ministria e Brendshme e mbrojti vendimin duke theksuar se ligji lejon dhënien e shtetësisë për të huaj që kontribuojnë në ndikimin dhe imazhin ndërkombëtar të Francës, disa zyrtarë të tjerë shprehën shqetësim, duke theksuar se duhet kujdes ndaj “mesazhit që po i dërgohet publikut”.
Clooney, i cili zotëron një pronë në jug të Francës, ka pranuar se ende e flet dobët gjuhën, pavarësisht qindra orëve të mësimit. Ndërkohë, Amal Clooney e zotëron rrjedhshëm frëngjishten.


