Tom Holland ka thënë se përgjegjësia më e madhe që ndien duke luajtur Spider-Man nuk lidhet me skenat e aksionit, por me ndikimin që ka te fëmijët. Aktori 30-vjeçar u shpreh se dëshiron që personazhi i Peter Parker të jetë një shembull pozitiv për brezin e ri, ashtu siç ishte Spider-Man për të kur ishte fëmijë. “Për mua, përgjegjësia më e madhe është t’u jap fëmijëve dikë që mund ta admirojnë”, tha Holland gjatë premierës së filmit “Spider-Man: Brand New Day”.
Holland shtoi se e merr shumë seriozisht këtë rol dhe shpreson ta luajë Spider-Man për aq kohë sa publiku do ta dëshirojë. Filmi i ri, “Spider-Man: Brand New Day”, shënon paraqitjen e tij të shtatë në universin Marvel dhe ndjek një Peter Parker më të pjekur, që përballet me sfida të reja në jetën personale dhe si superheroi i New York-ut.


