Autoritetet kineze kanë mohuar kategorikisht se kanë kërkuar ndonjëherë qasje në të dhënat personale të përdoruesve evropianë të TikTok, pasi platforma u gjobit me 530 milionë euro për transferimin e të dhënave drejt Kinës pa garanci të mjaftueshme sigurie.
Gjoba u shqiptua nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë, në emër të Bashkimit Evropian, pasi TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, nuk arriti të dëshmojë se të dhënat e përdoruesve evropianë janë të mbrojtura nga ndërhyrja e mundshme e autoriteteve kineze. Pas kësaj, Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se “Pekini asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë të dhëna nga kompanitë përmes mjeteve të paligjshme”, duke u bërë thirrje BE-së dhe Irlandës të ruajnë një mjedis tregtar të drejtë dhe të paanshëm për të gjitha kompanitë ndërkombëtare.