Legjendat britanike të muzikës, The Beatles, do të kenë muzeun e tyre zyrtar në Londër, i cili pritet të hapet për publikun në vitin 2027 në ndërtesën ikonike në adresën Savile Row 3. Pikërisht në çatinë e kësaj ndërtese grupi mbajti koncertin e fundit publik më 30 janar 1969.
Ndërtesa ishte selia e grupit nga viti 1968 deri më 1972, ndërsa në studion e saj në bodrum u regjistrua albumi legjendar “Let It Be”. Paul McCartney deklaroi për BBC se dëshiron që fansat e grupit të kenë një destinacion zyrtar në Londër kushtuar historisë së Beatles.
Kompania Apple Corps planifikon të krijojë një përvojë unike për vizitorët, duke përfshirë materiale arkivore të papublikuara më parë, ekspozita speciale dhe rikrijimin e plotë të studios origjinale. Vizitorët pritet të kenë mundësinë të përjetojnë edhe koncertin historik në çati, në të njëjtin vend ku u zhvillua më shumë se pesë dekada më parë.
Edhe Ringo Starr reagoi me entuziazëm për projektin, duke thënë: “Wow, sikur po kthehem në shtëpi.”


