Taylor Swift ishte mes të famshmëve që ndoqën nga afër ndeshjen e katërt të finales së NBA-së mes New York Knicks dhe San Antonio Spurs në Madison Square Garden. Këngëtarja amerikane u pa duke festuar me entuziazëm fitoren dramatike të skuadrës së saj të preferuar pas përfundimit të ndeshjes.
Menjëherë pas triumfit 107-106 të Knicks, Swift u filmua duke kërcyer dhe festuar së bashku me aktoren Mariska Hargitay në parket. Në video të tjera të publikuara në rrjetet sociale, ajo shihet duke brohoritur dhe festuar me tifozët teksa largoheshin nga arena.
Artistja kishte zënë vend pranë parketit së bashku me motrat Haim dhe u dallua me bluzën e saj “Stevie Knicks”, një kombinim kreativ mes emrit të ekipit dhe këngëtares legjendare Stevie Nicks. Prania e saj u mirëprit nga tifozët e Knicks, të cilët e përshëndetën me duartrokitje kur u shfaq në ekranin gjigant të arenës.
Fitorja e Knicks ishte historike, pasi skuadra arriti të përmbysë një disavantazh prej 29 pikësh për të fituar 107-106 ndaj Spurs dhe për të kaluar në epërsi 3-1 në seri. Tani, ekipi i Nju Jorkut ndodhet vetëm një fitore larg titullit të parë kampion në NBA që nga viti 1973.


