Super ylli i muzikës country, Carrie Underwood, do të interpretojë këngën “America the Beautiful” gjatë inaugurimit të presidentit të sapozgjedhur të SHBA, Donald Trump, më 20 janar, sipas programit të publikuar nga zëdhënësi i komitetit inaugurues.
„E dua vendin tonë dhe ndihem e nderuar që jam ftuar të këndoj në këtë inaugurim dhe të jem pjesë e këtij momenti historik,“ tha Underwood, e cila gjatë karrierës së saj është mbajtur larg politikës. „Është një nder i madh për mua të pranoj këtë ftesë në një moment kur të gjithë duhet të bashkohemi në frymën e unitetit dhe të shikojmë përpara.“
Superylli fitues i çmimeve Grammy fitoi famë pas triumfit në garën muzikore „American Idol“ në vitin 2005.
Trump, ish-president republikan, mposhti në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, ish-nënkryetaren demokrate.
Artistë si Beyoncé dhe Céline Dion kanë kërkuar nga Trump të ndalojë përdorimin e këngëve të tyre gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2024. Neil Young dhe Guns N’ Roses janë ndër artistët që gjithashtu i kanë kërkuar të mos përdorë muzikën e tyre gjatë dhe pas zgjedhjeve të vitit 2016.
Trump ka marrë mbështetje nga artistë të ndryshëm, përfshirë reperin Waka Flocka Flame, këngëtarin e muzikës country Kid Rock dhe Billy Ray Cyrus, babai i Miley Cyrus.