Aktori amerikan Dean Cain është përballur me kritika të shumta në rrjetet sociale pasi reagoi ndaj një postimi që tallte pamjen e aktores australiane Milly Alcock, e cila do të luajë rolin kryesor në filmin e ri “Supergirl”.
Debati nisi kur një përdorues në rrjetin X publikoi një fotografi të Alcock në kostumin e Supergirl-it dhe ngriti pyetje rreth vathëve të personazhit. Më pas, një komentues tjetër e krahasoi aktoren me personazhin Cha-Ka nga seriali i viteve ’70 “Land of the Lost”. Cain reagoi duke shkruar se komenti e kishte bërë të qeshte, gjë që shkaktoi zemërim te shumë fansa.
Përdorues të shumtë e akuzuan aktorin për sjellje të papërshtatshme dhe për nxitje të talljeve ndaj një aktoreje të re. Disa e cilësuan reagimin e tij si “të cekët” dhe “mizor”, ndërsa të tjerë shprehën zhgënjim ndaj ish-yllit të Superman-it.
Alcock, e njohur për rolin e saj në serialin House of the Dragon, do të interpretojë personazhin Kara Zor-El në filmin e ri “Supergirl”, i cili pritet të dalë në kinema më 26 qershor. Aktorja nuk ka reaguar publikisht ndaj polemikave.


