Prishtina do të jetë edhe një herë epiqendra e muzikës në Evropën Juglindore, pasi Sunny Hill Festival 2026 do të rikthehet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë, me një program që bashkon emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe artistët më të njohur shqiptarë.

Edicioni i sivjetmë do të kryesohet nga superylli amerikan Katy Perry, këngëtari britanik Lewis Capaldi dhe DJ-i holandez Martin Garrix.

Ndërsa publiku do të ketë mundësinë të shijojë performanca edhe nga Dhurata Dora, EsDeeKid, Tyson O’Brien, Ledri Vula, Lumi B, MC Kresha, Lyrical Son, Roya, Sahati, Blanco, Buta, Manifest, Kim Turnbull, Bees & Honey, Eko dhe shumë artistë të tjerë.
Për adhuruesit e muzikës elektronike, C4 Stage do të sjellë emra të njohur ndërkombëtarë si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Tommy Gold, Gjin, Salomé Le Chat dhe Kamelia, ndërsa The Next Stage dhe The Satellite do të prezantojnë artistë të rinj dhe performues alternativë nga Kosova dhe rajoni.

Sunny Hill Festival është themeluar nga Dukagjin “Dugi” Lipa dhe promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa. Gjatë viteve, festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Evropën Juglindore, duke tërhequr mbi 100 mijë vizitorë në çdo edicion dhe mysafirë nga afro 60 shtete të botës.
Përveç dimensionit artistik, festivali ka edhe një ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe turistik. Sipas organizatorëve, edicioni i kaluar gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, ndërsa ndikimi i përgjithshëm vlerësohet të arrijë rreth 50 milionë euro. Gjatë festivalit, kapacitetet hoteliere në Prishtinë arrijnë pothuajse mbushjen e plotë, ndërsa ngjarja promovon Kosovën në mijëra media ndërkombëtare.
Sunny Hill Festival është bërë një nga ambasadorët më të rëndësishëm kulturorë të Kosovës, duke e pozicionuar Prishtinën në hartën ndërkombëtare të festivaleve dhe duke promovuar vendin përmes muzikës, kulturës dhe turizmit. Festivali është nominuar disa herë në European Festival Awards dhe ka fituar vlerësime për ndikimin e tij ekonomik dhe kulturor.
Biletat “Believer” dhe “Early Bird” janë tashmë të shitura, ndërsa biletat Regular dhe VIP vazhdojnë të jenë në dispozicion përmes kanaleve zyrtare të Sunny Hill Festival. Organizatorët presin edhe këtë vit dhjetëra mijëra vizitorë, duke e konfirmuar festivalin si ngjarjen muzikore më të madhe në Kosovë dhe një nga më të rëndësishmet në rajon.
Radio Vala Rinore do të jetë pjesë e mbulimit mediatik të Sunny Hill Festival 2026, duke sjellë për publikun reportazhe, intervista, fotografi, video dhe zhvillimet më të rëndësishme nga të tri ditët e festivalit.



