Sulmet në zemër shpesh lidhen me dhimbje të forta në kraharor, por ekziston edhe një formë më e fshehtë – sulmet e heshtura të zemrës, të cilat shpesh kalojnë pa u vënë re, pa simptoma të zakonshme.
Kardiologu Tim Çiko shpjegon se këto raste janë më të zakonshme nga sa mendohet, duke përbërë rreth një të tretën e të gjitha sulmeve në zemër.
Simptomat e fshehura
Ndërsa disa pacientë nuk ndiejnë asnjë simptomë, të tjerë mund të vizitojnë mjekun për dhimbje dhëmbi, dhimbje shpine ose lodhje të përgjithshme. Vetëm pas analizave si EKG dhe testet e gjakut, zbulohet se ata kanë pësuar një sulm të heshtur në zemër.
Rreziku i vonesës në trajtim
Rreziku më i madh i një sulmi të heshtur në zemër është mungesa e trajtimit në kohë, gjë që rrit rrezikun e komplikacioneve serioze.
“Nëse nuk e kuptoni që keni kaluar një sulm në zemër, mund të humbisni terapitë që ndihmojnë në zvogëlimin e dëmtimit të zemrës dhe uljen e rrezikut për një sulm të ri. Sa më shpejt të fillohet trajtimi, aq më i madh është shansi për shërim”, paralajmëron Çiko.
Dy grupet më të rrezikuara
Dy grupe janë veçanërisht të prekura nga ky fenomen: të moshuarit dhe personat me diabet.
Të moshuarit shpesh përballen me probleme të ndryshme shëndetësore dhe mund të ngatërrojnë simptomat me sëmundje të tjera. Nga ana tjetër, personat me diabet mund të mos ndiejnë dhimbjen klasike të kraharorit për shkak të dëmtimit të nervave.
Për kujdes afatgjatë, këshillohet konsultimi i rregullt me mjekun tuaj.