Nëse ju duket se mushkonjat ju pickojnë më shumë se të tjerët, shkenca thotë se nuk e keni gabim. Sipas studimeve të fundit, mushkonjat zgjedhin viktimat kryesisht bazuar në erën e trupit, temperaturën, lagështinë e lëkurës dhe dioksidin e karbonit (CO₂) që nxjerrim gjatë frymëmarrjes – jo sipas grupit të gjakut.
Shkencëtarët zbuluan se mushkonjat femra, të vetmet që pickojnë, janë në gjendje të dallojnë dhjetëra përbërës kimikë të prodhuar nga lëkura e njeriut. Personat që prodhojnë më shumë nga një përbërës i quajtur 1-okten-3-ol, i njohur edhe si “alkooli i kërpudhave”, rezultojnë më tërheqës për këto insekte. Në mesin e tyre ishin edhe gratë shtatzëna në tremujorin e dytë të shtatzënisë.
Ekspertët theksojnë se nuk ka prova shkencore që mushkonjat preferojnë një grup të caktuar gjaku apo se zgjedhin njerëzit sipas ngjyrës së lëkurës, syve ose flokëve.
Një tjetër faktor që rrit tërheqjen ndaj mushkonjave është konsumimi i birrës. Studimet kanë treguar se alkooli rrit temperaturën e trupit, ndryshon aromën e lëkurës dhe shton sasinë e CO₂ të nxjerrë gjatë frymëmarrjes, duke i bërë njerëzit më tërheqës për mushkonjat.
Për t’u mbrojtur nga pickimet, specialistët rekomandojnë veshje që mbulojnë trupin, përdorimin e repelentëve dhe rrjetave kundër mushkonjave, si edhe kufizimin e konsumit të alkoolit, veçanërisht gjatë periudhave kur mushkonjat janë më aktive.


