Ora inteligjente nga marka si Apple, Google dhe Samsung, të pajisura me sensor EKG, mund të zbulojnë më herët çrregullime serioze të ritmit të zemrës sesa kontrollet tradicionale, sipas një studimi të ri nga Amsterdam UMC.
Studimi u përqendrua në fibrilacionin atrial, aritmia më e shpeshtë, e cila shpesh kalon pa simptoma dhe mbetet e padiagnostikuar. Në hulumtim morën pjesë 437 persona mbi 65 vjeç me rrezik të shtuar për goditje në tru. Gjysma përdorën ora inteligjente për gjashtë muaj, ndërsa pjesa tjetër mori kujdes standard.
Rezultatet treguan se fibrilacioni atrial u zbulua katër herë më shpesh te përdoruesit e orëve inteligjente (21 raste kundrejt 5), ndërsa mbi gjysmën e rasteve ishin pa simptoma. Studiuesit vlerësojnë se kjo teknologji mund të ndihmojë në diagnostikim të hershëm, të ulë ngarkesën e sistemit shëndetësor dhe të parandalojë goditjet në tru.

