Seriali i ri fantastiko-shkencor The Boroughs është shndërruar në një nga hitet më të mëdha të Netflix-it këtë vit, duke grumbulluar 15 milionë shikime vetëm dy javë pas premierës. Madje edhe mbreti i horrorit, Stephen King, nuk i kurseu lëvdatat, duke thënë se seriali e la “pa fjalë” dhe se ia vlen të shikohet deri në fund. Me një vlerësim prej 97% në Rotten Tomatoes, “The Boroughs” sjell një histori të errët ku një komunitet pensionistësh përballet me një kërcënim misterioz dhe mbinatyror, duke ofruar një qasje freskuese në zhanrin fantastiko-shkencor.
Një nga pikat më të forta të serialit është kasti i aktorëve veteranë, ku spikasin Alfred Molina, Geena Davis dhe Bill Pullman. Fundi tronditës i sezonit të parë ka lënë të hapura shumë mistere dhe ka shtuar pritjet për një sezon të dytë. Me histori intriguese, personazhe të zhvilluar mirë dhe rekomandimin e vetë Stephen Kingut, “The Boroughs” po konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha televizive të vitit 2026.


