Në historinë e televizionit, pak role kanë arritur famën dhe ndikimin e Tony Sopranos, karakterit legjendar të interpretuar mjeshtërisht nga James Gandolfini. Si një bos mafioz nga New Jersey, por njëkohësisht një familjar i trazuar, ai la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën pop që nga debutimi i serialit në vitin 1999.
“The Sopranos” konsiderohet një nga serialet më të mira të të gjitha kohërave, duke kombinuar dramën familjare me botën e krimit dhe zhanrin gangster, duke krijuar disa nga momentet më ikonike në historinë e televizionit. Për këtë arsye, zgjedhja e aktorit për rolin kryesor ishte vendimtare. Para se të merrte këtë rol, Gandolfini ishte shfaqur në disa filma të njohur, si Crimson Tide dhe Get Shorty, por ishte pikërisht interpretimi i tij në filmin True Romance (1993) që i hapi dyert për rolin e jetës së tij.
Si e siguroi Gandolfini rolin e Tony Sopranos?
Sipas një artikulli të Vanity Fair, Suzanne Fitzgerald, e cila punonte për producentin Brad Grey, i dërgoi krijuesit të serialit, David Chase, një skenë nga True Romance ku Gandolfini luante një dhunues mafioz. Në atë skenë brutale, ai e hedh përmes një dere xhami aktoren Patricia Arquette, duke e goditur pa mëshirë. Fitzgerald, e impresionuar nga interpretimi i tij, deklaroi: “Ky është njeriu i duhur”, dhe menjëherë e dërgoi regjistrimin tek Chase.
Reagimi i Gandolfinisë për rolin
Kur James Gandolfini lexoi skenarin e The Sopranos, ai u magjeps menjëherë. “Qesha me zë të lartë,” kujtonte ai, duke shtuar: “Mendova: ‘Kjo është ndryshe, e shkëlqyer dhe e çuditshme. Nuk kam qenë kurrë aktori kryesor. Sigurisht që do të zgjedhin dikë tjetër.’ Por e dija që mund ta bëja.”
Megjithatë, rruga drejt rolit nuk ishte e lehtë. Në audicionin e parë, ai e ndërpreu për arsye personale. Në të dytin, as nuk u paraqit. Por ishte audicioni i tretë, i mbajtur në shtëpinë e David Chase, që përcaktoi gjithçka. Chase kujton se sapo Gandolfini nisi të lexonte skenarin, dialogu mori jetë dhe ishte e qartë se ai ishte zgjedhja e duhur.
Një rrol që ndikoi edhe jetën e aktorit
Pasi mori rolin e Tony Sopranos, Gandolfini u zhyt aq thellë në karakterin e tij, sa filloi të përjetonte probleme të ngjashme me personazhin, duke luftuar me zemërimin dhe varësitë. Pavarësisht sfidave personale, ai realizoi një nga interpretimet më të fuqishme në historinë e televizionit. Ishte brutaliteti i tij në skenën e True Romance që bindi producentët dhe skenaristët e The Sopranos se ai ishte zgjedhja perfekte për këtë rol të paharrueshëm.