Skandalet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKSUK) duket se nuk kanë të ndalur. Ngjarjet e fundit që kanë dalë në dritë kanë vënë në pah një sërë problematikash që rrezikojnë seriozisht funksionimin e QKSUK-së, duke sfiduar parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Ndër skandalet më shqetësuese përfshihen përndjekjet ndaj sinjalizuesve, të cilët shpesh përballen me masa disiplinore të papranueshme. Më alarmante është fakti që vendimet e këtyre komisioneve disiplinore ekzekutohen menjëherë, pa marrë parasysh se ankesa e sinjalizuesve është ende në pritje të shqyrtimit.
Një rast i tillë është konfirmuar edhe nga avokati Taulant Hajdari për KALLXO.com, i cili ka dhënë një shpjegim ligjor se një ankesë duhet të pezullojë ekzekutimin e vendimit.
“Meqenëse Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka kërkuar shtyrjen e afatit për vendosje për shkak të raportimit të konfliktit të interesit, rrjedhimisht i bie që të shtyhet edhe ekzekutimi i masës. Mirëpo, kjo padyshim që paraqet shkelje dhe është në kundërshtim me ligjin,” tha Hajdari.
Sipas dispozitave të nenit 130, paragrafit 1 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, parashtrimi i ankesës ka efekt pezullues, që nënkupton që akti administrativ ndaj të cilit është parashtruar ankesa, nuk mund të zbatohet, pa pasur një vendim lidhur me ankesën.
Ky veprim i QKSUK-së, për të ekzekutuar masa pavarësisht ekzistencës së një ankese të ligjshme, përbën një shkelje serioze të së drejtës administrative dhe vendos në pikëpyetje integritetin e procedurave disiplinore brenda institucionit.
Një praktikë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me ligjin, por edhe minon rëndësinë e mbrojtjes së sinjalizuesve, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në ekspozimin e padrejtësive dhe abuzimeve në sistem.
Publiku kërkon transparencë dhe drejtësi në mënyrën se si menaxhohen situatat brenda QKSUK-së, ndërsa presioni për reforma dhe përmirësime në këtë institucion vazhdon të rritet. Skandalet e njëpasnjëshme vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e institucionit dhe shtojnë shqetësimin për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.