Në Belgjikë është hapur një debat i gjerë mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në akademi, pasi rektorja e Universiteti i Gentit, Petra De Sutter, përdori ChatGPT për të shkruar fjalimin hapës të vitit akademik. Teksti përmbante gabime dhe dy citate të sajuara një fenomen i njohur si “halucinacion” i inteligjencës artificiale.
Një nga citatet ia atribuonte gabimisht thënien “Dogma është armiku i përparimit” Albert Einstein-it, ndonëse ai kurrë nuk e ka thënë këtë fjali. Sipas ekspertëve, AI shpesh krijon citate “të besueshme” duke kombinuar fjalë dhe ide që statistikisht përputhen me stilin e autorit, por që nuk janë reale.
Profesori Igor Bersini, drejtor i një laboratori të inteligjencës artificiale në Belgjikë, thekson se këto gabime janë veçanërisht problematike në fusha si fjalimet, filozofia apo esetë, ku gjuha është më e lirë dhe kuptimet janë të shumëfishta. Ai nënvizon se verifikimi i burimeve është thelbësor, sidomos në mjediset akademike.


