Hudhra është një nga erëzat më të shëndetshme dhe të shijshme, por shkakton shpesh erë të keqe në gojë që zgjat me orë të tëra. Larja e dhëmbëve shpesh nuk mjafton, pasi komponimet e squfurit që ajo përmban përthithen në gjak dhe nxirren përmes mushkërive.
Zgjidhja? Ushqime të zakonshme që ndihmojnë në neutralizimin e kësaj arome. Mollët dhe sallatat si rukola e cikorja përmbajnë polifenole që shpërbëjnë komponimet me erë të keqe, ndërsa bimët e freskëta si majdanozi dhe menta veprojnë si dezodorant natyral falë klorofilit. Po ashtu, një gotë qumësht ose kos pas ushqimit mund të bëjë mrekulli, si dhe një gotë çaji të gjelbër. Kombinoni me zgjuarsi – për shembull përfundoni vaktin me mollë apo gjethe menteje – dhe do të mund të shijoni hudhrën pa merak.