Kate Winslet përdori një gjest të veçantë për t’i treguar James Cameronit sa shumë e dëshironte rolin e Rose në filmin “Titanic”. Pas audicionit, aktorja i dërgoi regjisorit një trëndafil të kuq dhe një shënim me fjalët: “Unë jam Rose juaj”. Cameron e kujtoi këtë moment gjatë një konference në vitin 2023, duke e përshkruar Winslet si një person me vendosmëri të madhe, që e shpreh qartë atë që dëshiron.
Regjisori tregoi gjithashtu se lidhja artistike mes Winslet dhe Leonardo DiCaprios u dallua që gjatë leximit të parë të skenave. Aktorja ishte entuziaste dhe e bindur se ai ishte zgjedhja e duhur për rolin e Jack. Duke kujtuar suksesin e filmit, Winslet tha se jeta e saj ndryshoi pothuajse brenda natës: aktivitetet e zakonshme, si blerja e gazetës apo qumështit, u bënë të vështira për shkak të paparacëve që e ndiqnin.


