Lihtenshtajni është një principatë e vogël alpine, e vendosur ndërmjet Zvicrës dhe Austrisë. Me një sipërfaqe prej vetëm 160 kilometrash katrorë dhe rreth 40 mijë banorë, ai ka arritur të krijojë një nga standardet më të larta të jetesës në Evropë.
Shteti nuk ka aeroport dhe dalje në det, ndërsa si monedhë përdor frangun zviceran. Ushtria u shpërbë që në vitin 1868 për shkak të kostove, ndërsa sot Lihtenshtajni njihet për sigurinë dhe shkallën shumë të ulët të kriminalitetit.
Ekonomia mbështetet në sektorin financiar, industrinë e teknologjisë së lartë, prodhimin e pajisjeve precize, elektronikën dhe eksportet. Mjedisi i favorshëm për biznes ka bërë që në vend të regjistrohen më shumë kompani sesa ka banorë. Papunësia është shumë e ulët, ndërsa shumë punonjës udhëtojnë çdo ditë nga Zvicra dhe Austria.
Lihtenshtajni është gjithashtu një nga vetëm dy shtetet në botë, së bashku me Uzbekistanin, që është dyfish pa dalje në det: edhe të gjitha vendet fqinje nuk kanë dalje në det. Kryeqyteti është Vaduzi, por vendbanimi më i madh është Schaani.


