Një kompani amerikane ka prezantuar një koncept futurist banimi: shtëpi që zhyten nën tokë për vetëm 15 minuta në rast zjarresh të mëdha ose tornadosh.
Sipas kompanisë HiberTek Homes, nga jashtë këto banesa duken si shtëpi moderne të zakonshme, por nën to ndodhet një sistem gjigant hidraulik. Kur lëshohet alarmi për rrezik, sistemi fik automatikisht energjinë elektrike, ujin dhe gazin, aktivizon mbrojtjen kundër zjarrit dhe e ul të gjithë shtëpinë në një hapësirë të sigurt nëntokësore. Më pas, një kapak mbrojtës mbyll plotësisht strukturën.
Kompania pretendon se sistemi mund të përballojë temperatura deri në 1.090 gradë Celsius për disa ditë, duke ofruar mbrojtje shumë më të madhe se materialet tradicionale rezistente ndaj zjarrit. Megjithatë, kjo nuk është një strehë për njerëzit – banorët duhet të evakuohen me kohë, ndërsa vetëm shtëpia zhytet nën tokë.

Aktualisht ofrohen tre modele, nga një banesë e vogël deri te një vilë luksoze me pesë dhoma gjumi. Çmimi i modelit më bazë fillon nga afërsisht 2 milionë dollarë, ndaj kjo teknologji mbetet e destinuar për klientët me buxhet të lartë.
HiberTek Homes e zhvilloi këtë zgjidhje si përgjigje ndaj shtimit të zjarreve shkatërruese dhe tornadove në SHBA. Në vend që të ndërtojë shtëpi që i rezistojnë katastrofave, kompania zgjodhi një ide krejt ndryshe: ta fshehë të gjithë shtëpinë nën tokë derisa rreziku të kalojë.


