Studimet tregojnë një lidhje të qartë mes përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale, problemeve psikologjike dhe çrregullimeve të gjumit. Akademia Gjermane e Shkencave rekomandon që fëmijët deri në moshën 13-vjeçare të mos kenë qasje fare në rrjete sociale, ndërsa pas kësaj moshe përdorimi të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve. Për më të rinjtë nën 18 vjeç, propozohet ndalimi i reklamave të personalizuara, kufizimi i funksioneve që shkaktojnë varësi, si njoftimet e vazhdueshme dhe “skrolimi” i pafund.
Hulumtimet tregojnë se gjithnjë e më shumë fëmijë fillojnë të përdorin platforma si TikTok para moshës së lejuar, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve për ankth, depresion, probleme me vetë-imazhin dhe çrregullime të gjumit. Ekspertët theksojnë se fëmijët kanë nevojë për edukim digjital të përshtatur sipas moshës, ndërsa politika duhet të vendosë rregulla të qarta për të mbrojtur shëndetin mendor të brezit të ri.