Tyrannosaurus rex ka qenë gjithmonë i njohur për trupin gjigant dhe krahët e vegjël, të cilët prej dekadash kanë habitur shkencëtarët. Një studim i ri, i publikuar në Proceedings of the Royal Society B, sugjeron se gjymtyrët e vogla të përparme ishin rezultat i evolucionit të kafkës së fuqishme. Sipas studiuesve nga University College London, dinosaurët mishngrënës zhvilluan kafka gjithnjë e më të forta për të rrëzuar prenë, ndërsa krahët u bënë më pak të nevojshëm dhe gradualisht u zvogëluan.
Shkencëtarët analizuan 85 specie dinosaurësh dhe zbuluan se dinosaurët me kafka më të forta kishin zakonisht gjymtyrë të vogla të përparme. Sipas autorit të studimit, Charlie Roger Scherer, evolucioni favorizoi kokën si “armën kryesore”, sepse ishte më efikase për gjueti sesa përdorimi i kthetrave. Megjithatë, studiuesit besojnë se krahët e T-rex ende kishin ndonjë funksion, edhe pse ende nuk dihet saktësisht cili ishte ai.


