Simptomat e nivelit të lartë të sheqerit në gjak shpesh kalojnë pa u vënë re, sidomos te diabeti i tipit 2, i cili mund të mbetet i pa diagnostikuar për vite me radhë. Ekspertët theksojnë se në fazat e hershme, niveli i lartë i sheqerit zhvillohet gradualisht dhe shpesh nuk shfaq simptoma të dukshme.
Shenjat kryesore të sheqerit të lartë në gjak janë:
Etje e vazhdueshme dhe urinim i shpeshtë
Niveli i lartë i sheqerit bën që veshkat të punojnë më shumë për ta eliminuar atë, duke nxjerrë ujin nga indet dhe shkaktuar dehidrim. Kjo shton ndjenjën e etjes dhe urinimin e shpeshtë.
Uria e shtuar
Kur glukoza nuk përthithet siç duhet nga qelizat për shkak të mungesës ose rezistencës ndaj insulinës, trupi ndjen mungesë energjie, duke shkaktuar uri të vazhdueshme.
Lodhje e vazhdueshme
Mungesa e insulinës ose rezistenca ndaj saj pengon përthithjen e glukozës nga qelizat, duke shkaktuar ndjenjën e vazhdueshme të lodhjes dhe mungesës së energjisë.
Shikim i turbullt
Sheqeri i lartë mund të ndikojë në enët e vogla të gjakut në sy, duke shkaktuar turbullim të përkohshëm të shikimit dhe, me kalimin e kohës, probleme serioze si retinopatia diabetike.
Infeksione të shpeshta të traktit urinar
Personat me diabet janë më të prirur ndaj infeksioneve urinare për shkak të eliminimit të shtuar të sheqerit përmes urinës, gjë që krijon një mjedis të favorshëm për rritjen e baktereve.
Ndryshime në lëkurë
Shfaqja e njollave të errëta në qafë, sqetull, gishta ose ijë mund të sinjalizojë rezistencën ndaj insulinës. Gjithashtu, lëkura e thatë, kruarja dhe infeksionet bakteriale ose mykotike mund të jenë tregues të sheqerit të lartë në gjak.
Simptoma të tjera
Disa njerëz mund të përjetojnë humbje flokësh, plagë që shërohen ngadalë, ndjesi shpimi në duar dhe këmbë, etj.
Nëse vëreni këto simptoma, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek për të bërë analiza dhe për të marrë trajtimin e duhur në kohë.