Tensioni i lartë shpesh quhet “vrasësi i heshtur”, sepse në shumicën e rasteve nuk shkakton simptoma të dukshme. Megjithatë, kardiologët thonë se disa ndryshime që mund të duken të parëndësishme ndonjëherë lidhen me hipertensionin.
Një prej tyre është zgjimi i shpeshtë gjatë natës për të urinuar. Studimet kanë gjetur lidhje mes urinimit dy ose më shumë herë gjatë natës dhe tensionit të lartë, ndër të tjera për shkak të ndikimit që hipertensioni mund të ketë në funksionimin e veshkave dhe menaxhimin e lëngjeve në organizëm.
Shenjë tjetër mund të jenë ndryshimet në shikim, si turbullimi ose vështirësia në fokusim. Tensioni i lartë mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në retinë dhe të ndikojë në qarkullimin e gjakut drejt syve.
Edhe problemet me gjumin, përfshirë pagjumësinë dhe apnenë e gjumit, lidhen me hipertensionin. Marrëdhënia mund të jetë e dyanshme: gjumi i dobët mund të rrisë tensionin, ndërsa tensioni i lartë mund të shoqërohet me çrregullime të gjumit.
Shenja e katërt është mbetja më shpejt pa frymë gjatë aktiviteteve të zakonshme, për shembull gjatë ngjitjes së shkallëve. Kur tensioni mbetet i lartë për një kohë të gjatë, zemra detyrohet të punojë më shumë, ndaj aktivitetet e zakonshme mund të bëhen më të lodhshme.
Megjithatë, këto shenja nuk dëshmojnë vetvetiu se një person ka hipertension. Mënyra e vetme e sigurt për ta zbuluar është matja e tensionit të gjakut. Kufizimi i kripës, aktiviteti fizik dhe kontrolli i rregullt i vlerave ndihmojnë në mbajtjen e tij nën kontroll.


