Shawn Mendes ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen e tij me aktoren braziliane Bruna Marquezine përmes një postimi romantik në Instagram. Me rastin e ditëlindjes së 31-të të Bruna-s, këngëtari publikoi një seri fotografish dhe videosh të çiftit, duke shkruar se ajo i ka ndryshuar jetën. “Gëzuar ditëlindjen, e dashura ime. Ti je një dritë në çdo vend ku hyn. Më ke ndryshuar vërtet jetën dhe jam pafundësisht mirënjohës për ty. Të dua shumë”, shkroi Mendes në anglisht dhe portugalisht.
Çifti kishte nxitur thashethemet për një romancë që nga fundi i vitit 2025, pasi u fotografuan së bashku në Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ky është konfirmimi i parë publik i marrëdhënies së tyre. Bruna Marquezine është një nga aktoret më të njohura në Brazil dhe u bë e njohur ndërkombëtarisht me filmin “Blue Beetle”, ndërsa Mendes nuk kishte bërë publike një lidhje që pas ndarjes nga Camila Cabello.


