Aktorja hollivudiane Sharon Stone ishte e emocionuar deri në lot në Ballon e Operës së Vjenës, një nga ngjarjet më prestigjioze shoqërore në Austri.
Ylli i filmit “Basic Instinct” deklaroi në tapetin e kuq se mbrëmja i kishte “marrë frymën” dhe se ishte “e mbushur me emocione”. Ajo vlerësoi atmosferën e eventit si një “det elegance, hijeshie dhe dinjiteti”, duke theksuar ndjenjën e unitetit dhe krenarisë kulturore që përçohej gjatë mbrëmjes.
Stone, 67 vjeç, u shfaq me një fustan të frymëzuar nga stili i piktorit austriak Gustav Klimt, i dizajnuar nga shtëpia e modës e Valentino-s.
Balloja, e konsideruar si ngjarja më e rëndësishme shoqërore në Austri, mblodhi figura të njohura ndërkombëtare dhe elitën vendase. Çmimi i biletës ishte 410 euro, ndërsa lozhat premium arrinin deri në 26 mijë euro. Siguria ishte e lartë, me qindra policë të angazhuar, ndërsa në event mori pjesë edhe presidenti austriak.

