Një studim i Institutit për Kërkime të Leuçemisë “Josep Carreras” në Barcelonë tregon se kombinimi unik gjenetik i Maria Branyas, e cila jetoi 117 vjet dhe u nda nga jeta në vitin 2024, lidhet me funksion të fortë imunitar dhe shëndet të mirë të zemrës e trurit. Mostrat e gjakut, pështymës etj zbuluan qeliza që “sillen” si shumë më të reja se mosha e saj kronologjike.
Branyas kishte nivel shumë të ulët inflamacioni, kolesterol “të keq” e trigliceride të pakta dhe kolesterol “të mirë” të lartë. Po ashtu, mikrobioma e zorrëve dhe imuniteti i saj ngjanin me ato të moshave dukshëm më të reja. Shkencëtarët vërejtën edhe telomere jashtëzakonisht të shkurtra – zakonisht tregues rreziku – që në rastin e saj mund të kenë frenuar zhvillimin e kancerit.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse mënyra mesdhetare e jetesës ka luajtur rol, gjenetika ka qenë vendimtare. Rasti i saj tregon se mosha shumë e avancuar nuk është domosdoshmërisht e lidhur me shëndet të dobët, por kërkohen studime me grupe më të mëdha për ta konfirmuar këtë përfundim.

