Pas gati dhjetë vitesh larg zhanrit fantastiko-shkencor, regjisori legjendar Ridley Scott rikthehet me filmin e ri “The Dog Stars”, i cili do të shfaqet në kinema më 28 gusht.
Filmi është një thriller postapokaliptik i bazuar në bestsellerin me të njëjtin emër të autorit Peter Heller. Në rolet kryesore interpretojnë Jacob Elordi dhe Josh Brolin, ndërsa pjesë e kastit janë edhe Margaret Qualley, Benedict Wong dhe Guy Pearce.
Historia ndjek Higun, një pilot të ri që jeton në një botë të shkatërruar pas një katastrofe globale. Së bashku me një ekspert ushtarak të mbijetesës, ai përpiqet të mbijetojë në izolim, derisa një mesazh misterioz në radio e shtyn të nisë një udhëtim të rrezikshëm në kërkim të shpresës dhe të njerëzimit.
“The Dog Stars” është filmi i parë fantastiko-shkencor që Scott drejton që nga “Alien: Covenant” i vitit 2017. Regjisori, i njohur për klasikë si “Alien”, “Blade Runner” dhe “The Martian”, rikthehet kështu në zhanrin që e bëri një nga emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Para këtij projekti, Ridley Scott realizoi “Napoleon” (2023) dhe “Gladiator II” (2024), ndërsa “The Dog Stars” pritet të jetë një nga premierat më të rëndësishme fantastiko-shkencore të këtij viti.


